Reforma zgjedhore dhe kaubojsat e politikës shqiptare Pak nga historia e re : Nuk ka gjë më të neveritëshme se sa deklarimet dhe përbetimet e politikanëve tanë se kanë vetëm një merak e një qëllim : Të realizojnë zgjedhje të lira e të ndershme !! Sepse të gjithë e dinë se janë po këta politikanë, në këto 17 vjet, që kanë deformuar, tjetërsuar, përdhosur e shpërfillur votën e popullit, vullnetin e tij. Kush i ka penguar të realizojnë zgjedhje të lira e të ndershme ? Të gjithë betohen ! Betohet Rama dhe Berisha, betohet Meta e Mediu, betohet Pollo e Gjinushi, Ceka e Ngjela, Milo e Starova, gjithë xhuvelëria ! Kush pra, kush i bëri pis e i çnderoi zgjedhjet ? Kush u përgjigj e pagoi për to ? Kush është i pandershmi e kusari që të gjithë po e kërkojnë dhe s’po e gjejnë dot ? Aaaaaa, fajin na e paskërka pas sistemi !! Ai na qenkërka gjynahqari, hileqari, kusari, zuzari, lapërdhari !! Dhe fap, na u zgjodhën dy më të ndershmit, që ta denoncojnë, ta dënojnë, ta korigjojnë, ta pastrojnë ta përmirësojnë sistemin : Kaçi rozë dhe Rusmajli blu ! Këta janë më të ndershmit ( sepse nëse vuajmë për ndershmëri, duhet, së pari, të kërkojmë e të ngarkojmë më të ndershmit ) dhe më specialistët e dy forcave kryesore e pse jo, edhe të politikës shqiptare ! Dhe për të dëshmuar aftësinë dhe ndershmërinë e tyre, ata filluan të hulumtojnë në sistemet që ka dynjaja : Posi, kemi “ gjermanin ”, po kemi edhe “ spanjollin ”, “ grekun ” po e po, shiko se na përshtatet më mirë “ çeku” më duket dhe, patjetër, për ta bërë tamam, tamam shqiptar, duhen marrë pak nga të gjitha ! Edhe botën e bindim se po e dëgjojmë dhe po e ndjekim por edhe shqiptarëve po u dëshmojmë se jemi sovranë dhe të ndershëm !Por batakçinjtë ja njohin hilet e dallaveret njëri tjetrit. Kusarët e vegjël, e dinë mirë se kusarëve të mëdhenj vetëm për dredhira e prapësira u vete mëndja, sepse bashkë i kanë bërë deri tani të gjitha bëmat e hyneret. Puna është se kjo “ ndershmëri ” e barazi midis kusarësh nuk mund të vazhdojë gjatë. Aq më tepër që kusarët e vegjël duan të bëhen të mëdhenj duke hyrë në sinoret e të mëdhenjve. Lëre, lëre se ç’vete ! Përfundimi : Hyn në fuqi ligji i xhunglës, i fshehur me marifet deri tani. Luanët janë luanë, ujqërit, çakejt, dhelprat, lepujt e lepurushët, duhet të mos harrojnë origjinën ! Kështu pra, çdo gjë do të vejë në vendin e vet. Vicklat do të fashiten dhe të vegjlit do ta kuptojnë se kanë mbijetuar e janë fryrë artificialisht, për zemërgjërësi të të mëdhenjve. Përsëri, vetëm kështu mund të mbijetojnë. Këtë do ta kuptojnë shpejt kolopuçët “ grevëthyes ” dhe koalicioni i “ të imtave ” do të prishet përsëri. Në xhungël nuk mund të veprojnë ligje të tjera veç atij të xhunglës, pavarësisht llojeve, specieve, grupimeve, aleancave e koalicioneve, klaneve e hordhive, lidhjeve e krushqive. Kur peshku i madh ha të voglin as që mund të bëhet fjalë për raporte më dashamirëse e bashkëjetesë midis gjallesave që ndryshojnë në gen, pavarësisht se janë pjesë autentike në trojet e tyre etnike, në xhungël. Prandaj, kushdo që, me hir apo me pahir, futet në xhungël, duhet të ketë studiuar më parë biblën e saj dhe t’i ketë bërë llogaritë sipas këtij kodi, përndryshe, zoti pastë mëshirë për të ! Amin ! Sherrnaja hipokrite për sistemin Të gjithë sherrxhinjtë hileqarë e të pandershëm ( Të gjithë pa përjashtim janë të pandershëm sepse përndryshe, ndonjeri në komisione, do ta kishte ngritur zërin kur bëhej masakra mbi votën e sovranit ) para apo mbas ekraneve, evidentojnë pa mëdyshje dhe pa hasur kundërshtime nga askush se, sistemi që respekton në mënyrë absolute vullnetin e sovranit dhe që u mbyll derën gjithë pisllëqeve të vërejtura deri tani, është SISTEMI I PASTËR PROPORCIONAL. Por kjo thuhet sa për ta evidentuar, gjë që dëshmon se kusarët tanë nuk janë dhe aq budallenj dhe nuk kanë nevojë për të importuar sisteme hibride tip “ OMGJ ”. Kjo, pra, pohohet sa për evidencë ( në fakt, për të kërcënuar njëri tjetrin me mbështetjen ndaj një sistemi të ndershëm) sepse kusarët i tmerron ndershmëria. Ja përse thuhet dhe harrohet në çast ajo që u evidentua duke harruar njëkohësisht se janë aty pikërisht në kërkim të sistemit që garanton ndershmëri. Dhe vazhdon sherrnaja me argumenta e stërargumenta në kërkim të asaj, që në fakt, nuk e do asnjëri, ndershmërisë pra ! Përse sistemi i pastër proporcional, pa prag garanton zgjedhje të ndershme ? 1. Sepse ai i jep, rigorozisht në përqindje, çdo partie, aq vënde në parlament, sa përqind të mbështetjes elektorale që gëzon. A është e drejtë kjo ? Sigurisht që po ! 2. Sepse e zbut dhe e civilizon betejën elektorale. Duke qenë se nuk ka individë të angazhuar drejtëpërdrejtë për të fituar ( siç ndodh në garën në mazhoritar ) nuk ka as kriminelë e grupe banditësh të organizuar e vënë në lëvizje për të siguruar me dhunë votën për kandidatin e tyre. Natyrisht realiteti i sotëm zbulon edhe moralin se si është luftuar për të zënë një vend në parlament dhe se me se është mbushur parlamenti ynë. Merret me mend lehtë edhe se çfarë mund të pritet nga një parlament e parlamentar i tillë. 3. Sepse e pastron garën elektorale nga amoraliteti, nga premtimet boshe individuale pa pasë asgjë në xhep, nga paratë e hedhura lumë për të blerë votën por edhe nga detyrimet pastaj për t’ia shpërblyer militantëve, në kurriz të shtetit dhe të popullit. 4. Sepse nuk arrihet të përfaqësohet në parlament elita intelektuale e çdo force politike, ( siç e ha meraku elitarin Kaçi, që mezi arrin të fitojë me palaçollëqe në zonën e tij elektorale ) që në fakt ndodhet në lidersdhipin e saj por, atje zënë vënd ata që hedhin më shumë para, dhe kuptohet përse i hedhin dhe si do t’i rifitojnë, ata që kanë më shumë lidhje të çdo lloji, që kanë më shumë lidhje me krimin, etj. 5. Sepse në republikat parlamentare qeverisin partitë, me elitën e tyre, me programin e tyre me grupet e tyre parlamentare, që duhet të karakterizohen nga kohezioni i mbështetur në programin e miratuar bashkarisht. Deputetët e paraqesin dhe argumentojnë qëndrimin e tyre në grupin parlamentar. Aty shpaloset dhe vlen individualiteti i tyre, pothuaj njëlloj me raportet që ka antari i forumit me forumin e partisë ku militon. Ata nuk mund dhe nuk duhet të dalin kundër qëndrimit të grupit, përndryshe do të duhej të kishin fituar si kandidatë të pavarur. Kjo është edhe arsyeja se përse sistemi proporcional ka epërsi ndaj atij mazhoritar në të cilin në parlament nuk sigurohen elitat dhe ku deputeti nuk e ndjen sa duhet detyrimin që ka ndaj Partisë dhe programit të saj. Nëse është kështu dhe këtë, në fakt, e pranojnë të gjithë, të gjitha bishtat dhe shartesat që kërkohet t’i shtohen dhe ta deformojnë këtë sistem të virgjër, synojnë, absolutisht, ta xhveshin atë nga kjo “ ndershmëri e tepërt ”, ta ndyjnë në pjesë të ndryshme, ta inkriminojnë e kompromentojnë deri në tjetërsim, sejcili në interes e për hesap të vet. Sejcila parti e sejcili negociator, komisioner a manovrator, hileqar e manipulator, synon një kod zgjedhor që, nga njëra anë, t’i shërbejë interesave të tyre dhe nga ana tjetër, t’u hedhë hi syve të tjerëve ( përfshirë edhe institucioneve ndërkombëtare). Institucioneve ndërkombëtare, nga ana tjetër, nuk u mungon përvoja për të kuptuar e parashikuar bumerangun e politikave të tilla pa të ardhme. E gjitha kjo bëhet, natyrisht në emër të moralit, të ndershmërisë, të stabilitetit ekonomik e politik, të shpejtimit të proçeseve integruese e lloj lloj sajesash e pallavrash të pështira e hipokrite që zor se i ha kush. Por kaubojsat e politikës shqiptare, me nga dy pisqolla në brez, të përkëdhelur nga imazhi i vet kallp, nuk e çajnë fort kokën për moral. Atë e kanë kapërdirë me kohë me mish e me xhin. Kusarët nuk heqin dorë nga kusaria. Ata mund ta lenë sherrnajën vetëm kur të mbeten të gjithë mjaftueshmërisht të kënaqur nga ndarja e kurbanit të vet, që në këtë rast do të jetë Kodi Zgjedhor, në mos po vetë Kushtetuta. E ku pyesin kaubojsat për ligj e kushtetutë ?! Le t’ja hapim petët lakrorit, megjithëse ai ka mbetur pa petë fare dhe i kanë dalë përsipër jashtëqitjet pa hesap. U tha se të gjithë bishtat e shartimet që i janë bërë dhe i bëhen sistemit të pastër propocional, pa prag ( që respekton besnikërisht konceptin e pluralizmit politik ), motivohen nga synimi që autorët kanë, për t’ krijuar vehtes përfitime mbi atë që u takon, natyrisht në kurriz të asaj kategorie të vegjlish të cilët, realisht, mund të ecin me këmbët e veta ( sepse ka edhe të vegjël apo inegzistentë që ecin mbi galloshet e të mëëdhenjve. Zhurmën, më së shumti, e bëjnë pikërisht këta ). Një funksion të tillë e luan edhe elementi prag që shpesh përdoret si kërcënim nga të mëdhenjtë dhe pseudo të mëdhenjtë për të vegjlit e klonuar. Sistemi i pastër mazhoritar, në një periudhë e nivel të caktuar formatimi e konsolidimi të faktorit politik, synon ta kthejë pluralizmin politik në sistem dypartiak, gjë që vetëm për demokraci pluraliste nuk dëshmon dhe nuk mund të bëhet fjalë më. Duke llogaritur përfitimet e gjithanëshme që kanë partitë parlamentare, kuptohet se partitë e vogla, apo partitë e reja nuk mund të bëhen kurrë të mëdha. Kjo e kthen në fallcitet pluralizmin dhe konsiderimin e tij si një sistem human me hapësira e pretendime politike për të gjithë faktorët politikë. Kjo është një goditje vdekjeprurëse ndaj së resë. Në një rrethanë të tillë, të gjithë, nëse duan të jenë pjesë e politikës, duhet të rreshtohen pas të vjetrës, pas të madhes ! Shartimet e tipit të ligjit aktual, ndonëse fillimisht, sa pa hyrë shejtani në bark, realizuan një përfaqësim më realist në parlament, me hapësirat ligjore që kishin për manovrime të pamoralshme dhe me moralin gjithnjë në dekompozim të politikanëve tanë, fuqizuan artificialisht e gradualisht, me mbështetjen e të mëdhenjve, edhe parti inekzistente. Kjo e deformoi keqas raportin e mbështetjes elektorale me atë të përfaqësimit në parlament, duke deformuar kështu vetë demokracinë. Nga ana tjetër kjo prishi edhe raportet midis aleatëve pasi të mëdhenjtë e kuptuan se po i nxirrnin sytë vehtes duke tkurrur partitë e tyre në favor të marrjes së pushtetit, të cilin pastaj do t’u duhej ta ndanin me sajesat e veta. “ Elefantët ”, sidomos kur janë shqiptarë, nuk mund ta kthejnë në strategji këtë vijë sjelljeje. Rezultati, sherrnajë dhe orekse të të vegjëlve, që tashmë nuk janë dhe aq të vegjël, të paktën në gjëndjen civile. Kaubojsat politikë të tipit Kaçi, na kanë shpikur një hibrid të ri që u vjen sipas oreksit, pasi janë konsumuar e kompromentuar të vjetrit : Sistemin spanjoll, baraz kjo me Sistem Proporcional Rajonal. ( vini re, jemi gjithmonë në përpjekje për të turbulluar ujrat, në kërkim të korrektimeve e deformimeve të sistemit të pastër për ta bërë atë sa më pak të pastër, sa më pak të ndershëm që të jetë e mundur ! ) Autorëve të këtij sistemi, para apo pas skenës, u duket se kështu do t’i heqin qafe, me armë “ proporcionale ” tashmë, disa nga pseudoaleatët e bezdisshëm ! Duke ruajtur formalisht pragun 2.5 %, për t’i hedhur hi syve të vegjëlve, në fakt, brenda rajonit, ky prag vete disa herë më i lartë dhe derisa nuk parashikohet një kontigjent vëndesh në parlament nga proporcionali i pastër, siç është në kodin aktual, pragu aktual mbetet formal, pa asnjë vlerë dhe që nuk prodhon asnjë deputet. Të mëdhenjtë, në rajon, marrin kështu edhe vëndet e të vegjëlve ! Por elitarët intelektualë të tipit Kaçi, me sa duket, kanë harruar se kaubojsa matematicienë ka edhe në partitë e vogla. Ata do ja gjejnë ilaçin tip dushk marifetit të trashë të Kaçit, duke krijuar aleanca në çdo rajon dhe duke ndarë pastaj rajonet në favor të njerës apo tjetrës forcë të vogël. Ja pra që elitariteti i Kaçit nuk e shmang dot dushkun. Edhe proporcionali i personalizuar, siç e kërkojnë partitë e vogla parlamentare, qoftë edhe me raporte 70-70 apo sidoqofshin ato, që në thelb e kthejnë sistemin në mazhoritaro-proporcional, si aktuali, as dushkun e eliminojnë dhe as ndershmërinë e garantojnë në betejat tona elektorale. Partitë e vogla e kërkojnë këtë sistem, sepse ndjehen në defiçencë numerike dhe influence të strukturave të konsoliduara partiake në bazë, gjë që synojnë ta kompensojnë me shtabet e kandidatëve të personalizuar, që natyrisht do të fusin në lojë të gjithë ato elementë kriminalë, që gjoja po luftohet të shmangen me “ rropatjet e stërmundimshme ” për kërkimin dhe zbulimin e një sistemi “ puritan ” Dhe këtë zbulim e kanë marrë përsipër kapobandat. Një element i përfolur është edhe çeshtja e listave të hapura apo të mbyllura. Duhet kuptuar se bëhet fjalë për lista shumëemërore të miratuara, të pandryshueshme dhe të pavarura nga rezultatet paszgjedhore në zonat zgjedhore, të depozituara në KQZ para zgjedhjeve ose për lista shumëemërore paraprake ku mund të ndryshohet renditja pas zgjedhjeve, në funksion të rezultatit në zonat zgjedhore. Problemi, sidomos nga LSI, shtrohet sikur këtu bëhet fjalë për cënimin e demokracisë në Parti, sikur kjo rrit pushtetin e kryetarëve, gjë që në fakt është plotësisht e shmangëshme nëse vendimet për këtë qëllim, pra për hartimin dhe miratimin e listave të mbyllura, u delegohen forumeve e jo kryetarëve. Në fakt, synimi është, përsëri, që duke ngjallur interesin e sa më shumë elementëve për karierë politike, të vihen në lëvizje po ato elementë kriminalë që përmendëm më sipër, përfshirë edhe komisionerët me prirje kriminale. Në këtë rast, një parti e vogël, mund të fitojë ndonjë vend më shumë në parlament, dhe për pasojë edhe më shumë përfitime të pameritura por, ndërkaq, këtu nuk kemi të bëjmë me grupime politike të unifikuara rreth një programi por me banda në kërkim të përfitimeve maksimale. Një element me rëndësi që pastron garën elektorale është ngritja e komisioneve jo me komisionerë partiakë por specialistë të kualifikuar si dhe përfshirja në kodin zgjedhor e neneve që ndëshkojnë në mënyrë shembullore piratët e votave dhe dhunuesit e votës së lirë e të vullnetit të sovranit, gjë që gjithë të ndershmit elitarë të partive tona, e kanë “ harruar ” dhe nuk e kanë parë me vend ta “ shartojnë ” në sistemet tona zgjedhore. Sidoqoftë, diçka dihet me siguri : Nëse kalvari i zgjedhjeve që kundërmojnë kaq shumë erë të keqe në Shqipëri, do të vazhdojë gjatë, e pakta që do të ndodhë, do të jetë braktisja e proçeseve elektorale nga sovrani. Paskuqani me 28 % -ëshin e pjesëmarrjes së tij, ishte shembull domethënes. Natyrisht, kjo nuk i prish asnjë punë piratëve të politikës shqiptare, sepse ata i kanë dalë përpara kësaj me rregullimet ligjore por, kuptohet se kjo i prish punë Shqipërisë dhe se këtu nuk bëhet fjalë as për zgjedhje të lira, as për zgjedhje të ndrshme dhe as për demokraci. Askush nga ana tjetër nuk ka të drejtë t’i shohë këto rreshta me syze ideologjike, të justifikojë apo marrë në mbrojtje realitetin tejet të hidhur. Unë do ta vlerësoja e falënderoja maksimalisht cilëndo forcë apo faktor politik, të majtë apo të djathtë, që do të kontribuonte apo do t’i jepte fund këtij reliteti të shëmtuar, demaskues e diskreditues. Kristaq Mosko