Elbasani mes skamjes dhe perbuzjes
Elbasani mes skamjes dhe përbuzjesQyteti i luleve i mbushur me të papunë
I quajtur si “qyteti i luleve”, Elbasani i ballakumeve tradicionale, është katandisur sot në pikën zero, e cila po e degradon çdo ditë popullsinë më të papunë në shkallë vendi. Me një popullsi prej 130 mijë banorësh, Elbasani numuron aktualisht mbi 32 mijë të papunë, ku gjysma e tyre janë ish-punonjës dhe speicialistë të ish-kombinatit Metalurgjik dhe 12 uzinave të tij, si dhe shumë ndërrmarjeve nacionale të cilat u mbyllën, shkatërruan ose falimentuan gjatë 17 viteve tranzicion. Qyteti i luleve, është lënë në harresë totale nga të gjitha qeveritë e pas ’90, duke stimuluar largimin e qindra e mijëra elbasanllinjve nga vendlindja drejt emigrimit apo qyteteve metropol Tiranë e Durrës, duke krijuar me shpejtësinë e dritës ushtrinë më të madhe të të papunëve në vend , të vobektëve, dhe abuzantëve primitivë. Qyteti ka vite që ka marrë hijen e zymtësisë, askush nuk kujtohet për të investuar, askush nuk tregohet xhentil për të akorduar fonde të veçanta për punët publike, investimet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, rrjetin hidrik dhe energjitik. Në qytetin e Elbasanit ka dy menca publike, tek të cilat ushqehen çdo ditë të vobektë, gjithashtu ka edhe dy qendra të tjera të cilat strehojnë përkohosisht shtresat pa përkrahje si pleq të vetmuar apo të tjerë me probleme të thella sociale. Qyteti ngryset e gdhihet me të njëjtat fytyra, të zbehta nga ajri dhe tymi i gazeve dhe tymrave të metalurgjiku , ferrokrimit dhe fabrikës së çimentos, të cilat kanë që pas vitit 1998, që punojnë me intensitet të plotë, duke helmuar çdo ditë jetë njerëzish. Në Zyrën e Punës, Ndihmës Ekonomike, komuna, apo edhe bordure trotuaresh, do të shikosh çdo ditë grupe të papunësh, tek përtypin fara luledielli, fytyra të parruara dhe lëkura të vyshkura, të cilët presin habere për ndonjë vend pune, ndihmë ekonomike, thes me miell. Në Elbasan ka shumë kategori njerëzish, si të papunët dhe invalidët që trajtohen nga shoqata të ndryshme me ndihma në ushqime. Në këtë qytet veprojnë 10 shoqata dhe fondacione bamirësie, aq sa veprojnë në pesë qytete të tjera të mara së bashku, duke ushtruar aktivitete të dendura, duke nisur nga trajtimi ushqimor i mijëra familjeve të papuna dhe të vobekta.
Pushteti vendor apatik, qeveria dhe deputetët indiferentë, Në qytetin e Elbasanit, institucionet e pushtetit vendor janë teje apatike. Duke nisur nga Rajonet, Komunat, bashkia, si dhe zyra dhe drejtoritë e tjera, kanë një administratë e cila punon me logjikën e nëpunësit të para 17 viteve. Askush në bashki, komuna dhe institucionet e tjera vendore, nuk ka bërë dhe nuk po bën përpjekje maksimale për të ulur numurin e të papunëve, për të „rrëmbyer“ nga dikasteret qëndrore projekte të punëve publike, dhe investime. Elbasani ka në parlament gjashtë deputetë , nga të cilët asnjëri nuk ka aktualisht banim në këtë qytet, pasi prej dy vitesh janë larguar drejt Tiranës, madje edhe deputeti i Belëshit, duke e braktisur elektoratin dhe premtimet e dhëna me bujë 2 vjet më parë. Afro 60 përqind e fuqisë punëtore në Elbasan, janë të papunë, duke mos patur asnjë shans për të gjetur një të tillë edhe në vitet që vijnë. Qyteti po plaket dhe rrudhet çdo ditë, i gjendur mes mungesës së përkrahjes, jetës aktive, papunësisë, varfërisë ekstreme, rrënimit të biznesit, largimit masiv të qindra familjeve, dhe rritjes së numurit të vetëvrasjeve. Sipas statistikave policore, vetëm gjatë muajve janar-nëntor 2007, janë kryer 9 vetëvrasje në qarkun e Elbasanit, dhe 3 raste të tjera të cilat janë arritur të shpëtohen nga mjekët e spitaleve të kryeqytetit, pasi janë dërguar atje me urgjencë. Kushtet e vështira ekonomike, si dhe problemet e thella sociale tek individë dhe shumë familje, janë arsyet e vetme të një katastrofe të tillë në qytetin e luleve dhe ballakumeve. Askush nuk kujtohet për Elbasanin, veç datës 14 mars, kur drejt tij dynden krerët e shtetit dhe politikanët, për të shijuar ëmbëlsirën tradicionale (ballokumen), duke lënë pas tabllonë gri të një qyteti që po lëngon dhe lufton çdo ditë, mes jetës dhe ferrit tranzicioni
31 Mar 08 më 2:05 pm
Urime per artikullin.
Eshte nje problem qe nuk di si ta shprese “social apo popullore per nga perhalja” qe po behet nje tradite vrasese per qytetet e meseme dhe te vogla shqiptare. Eshte e vertete qe elbasani po vuan dhe me sa pake qe une e njohe me vjene me te vertete shume keq per kedo familje qe vuan.
Me respekt