Kosova, Pavarësia dhe Elbasani“Se flamuri kuq e ziDo valojë përsëriNë Kosovë e Çamëri”Ka qenë ky lajmotivi njëshekullor që ka ushqyer shqiptarët e të gjitha trojeve, ku bukës i thonë bukë dhe ujit, ujë. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, u deshën 96 vjet të tjera që Kosova të fitonte Pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008. Ishte një rrugë e gjatë e mbushur me plot ngjarje dhe dhembje, e mbushur me genocid serb dhe mosdëshirën e Europës për ta bërë atë që i takon një kombi të tërë. Ishte një shekull, që diktoi edhe sjelljen e shqiptarëve në raport me fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha. Të pafajshëm dhe të pafuqishëm përballë dinakërive dhe pabesive, u desh gati një shekull që shqiptarët të gjenin partnerin e vërtetë. Edhe pse përtej Oqeanit, shteti më i fuqishëm i botës u bë parzmore e vlerave të vërteta për liri dhe demokraci. Nëse më 1999 u shtrua rruga për te Pavarësia dhe këtë e bëri NATO dhe SHBA, janë përsëri këto dy fuqi botërore që së bashku me Bashkimin Europian, u bindën në drejtësinë e rrugës që ndoqi Kosova dhe rrugës që ata vetë hapën për të aguar Pavarësia. U desh edhe mundi dhe sakrifica e kosovarëve, u desh edhe gjaku i dëshmorëve dhe paqësia e Ibrahim Rrugovës, u desh edhe UÇK me Adem Jasharin e Hashim Thaçin e Ramush Haradinaj, si dhe urtësia e politikabëve kosovarë, ashtu si edhe qëndrimi i vëllazërve në Shqipëri, që të gjitha bashkë me partnerët të fitohej Pavarësia. Të tjerat, ato çfarë bëjnë serbët, se çfarë thonë rusët, se çfarë spërdridhen grekë e kush tjetër, janë grafmat e fundit të antishqiptarizmit. Kosova e nënshkroi Pavarësinë, Bota e njohu Pavarësinë, “Se Zoti vet e tha me gojë, / Që kombe shuhen përmbi dhe, / Po Shqipëria do të rrojë, / Për të, për të luftojmë ne”.Po ç’hyn Elbasani në këtë analizë, do të pyesë lexuesi. Po, është e drejtë pyetja. Menjëherë më vjen në mendje një bisedë që një shqiptar nga Gjakova e Kosovës, Musa Sade bënte me tim atë, Nuriun, në vitet ’70. Sapo ishte hapur universiteti i Prishtinës dhe për xha Musanë ishte një sihariq i madh, kur i thotë bëbit tim se “e fitum Kosovën, Nuri”. “Për hajër qoftë, Musa, por ç’hajërsile ka që ma the këtë?”, - e pyeti im atë. Menjëherë xha Musai u përgjegj se “Hapja e universitetit do të shkollojë fëmijët, do t’i ndërgjegjësojë ata, nuk do ta harrojnë gjuhën e nanës dhe do mbillet fara që do të japë frutet e saj”. E them sot pas 35 vjetësh, se xha Musai paska qenë burrë i mençur dhe i urtë, edhe pse s’kishte arsim. Ai tha një të vërtetë që mirësinë ia dinë elbsanasit. Këtu kam rastin të rikujtoj, se kjo farë që është mbjellë në Kosovë e në vise të tjera shqiptre, e ka zanafillën edhe tek Mbreti Zogu i Parë, por edhe tek ai vendim i madh i shtatorit 1941 që nënshkroi ministri i arsimit i asaj kohe, Ernest Koliqi, për shkuarjen e mbi 400 normalistëve në të gjitha trojet shqiptare për hapjen e shkollave shqipe, mësimin e gjuhës dhe shkollimin e brezave. Ishte Normalja e 1909, që i dhanë shkëndijë kësaj pune dhe ishin rreth 180 elbasanas, veçanërisht, që u bënë zjarri i vatrave amëtare për hapjene shkollave dhe mësimin e shqipes, duke u bërë mbjellësit e vërtetë të asaj që do të jepte frutet e vërteta pas 60 e ca vjetësh. Janë të paharruara në kujtesën e shqiptarëve të Kosovës, të shqiptarëve të Çamërisë, të shqiptarëve të Maqedonisë dhe Malit të Zi, emrat e mësuesve të nderuar që u hapën shkollat nën trysninë serbe, që mësuan bijtë e shqiptarëve me fjalët e bukura të shqipes së Dhaskal Todrit dhe Kostandin Kristoforidhit dhe mësuesve të mrekullueshëm nga Elbasani. Emra si Mehmet Gjevori nga Elbasani në Kosovë,që u bë ministri shpirtëror i arsimit dhe veterani më i respektuar dhe i nderuar i shkollave. Emri i Mahmutt Dumanit u gdhend në shkollën që ai hapi në Sllatinë të Kërçovës në Maqedoni, ku është derdhur edhe një bust për nder të mësuesit. Po ashtu të nderuar kanë mbetur edhe emrat e Xhemal Voci dhe Sulejman Karaj nw Gostivar e Kumanovw, po aq sa edhe kanë mbetur të kujtesë sakrificat e normalistit më të vjetër që jeton sot në Elbasan, Jonuz Balla, që punoi në rrethinat e Tetovës dhe hapi edhe shkollën në këtë qytet, që sot ka mirënjohje të përjetshme dhe që iu nënshtuar burgjeve serbe përse hapi shkolla shqipe dhe mësoi nxënësit e4 së ardhmes dhe, më pas konunistët shqiptarë e burgosën duke e akuzuar si agjent të UDB, mësuesin e shkollave shqipe. Dhe lista e mësuesëve dhe mësueseve është e gjatë se e gjatë ishte edhe rruga që do të përshkonte arsimi shqiptar që si një pemë madhështore e vaditur me zemrat e bijëve të kombit dha frutet e saj deri tek kjo ditë e shënuar që është Pavarësia.Ishte ai refren i madh që cituam në fillim të këtij shkrimi që u mbajt i ndezur si një pishtar, që këndohej me aq zell nga normalistët dhe ushqehej nga mësuesit e Normales së famshme që shtruan udhën e ndritur të Pavarësisë. Ishte ai edukim që bënë normalistët e Elbasanit të cilët u bënë shpresë e së ardhmes së kombit, përmes biujëve që do të mbanin lart flamurin e lirisë dhe dashurisë për kombin, kudo, në Kosovë, në Çamëri, e kudo që shqiptarët janë në trojet e tyre amëtare. Është kjo meritë e madhe që bën lidhjen e Kosovës ,e Pavarësinë dhe Elbasanin, ashtu siç në këtë qytet ka edhe një lagje që quhet Fushë Mbret dhe që është një Kosovë e vogël në Elbasan, ashtu si edhe TV Dardan që mishëron dëshirat e shqiptarëve për të realizuar bashkimin e trojeve nën flamurin kuq e zi e shqiponjën dykrenare.Dita e shenjtëruar e 17 shkurtit 2008, ka brenda saj edhe dëshirat e aspiratave të popujve që luftojnë për liri e pavarësi, si Kosova jonë, se drejtësia e vërtetë vonon, por s’harron. Refreni i bukur i Normales ende këndohet në Kosovë se misioni i shqiptarizmit ende s’ka mbaruar.
Shkruaj një koment