reformat zgjedhore dhe kaubojsat e politikes shqiptare

Reforma  zgjedhore  dhe  kaubojsat  e  politikës  shqiptare          Pak  nga  historia  e  re :  Nuk  ka  gjë  më  të  neveritëshme  se  sa  deklarimet  dhe  përbetimet  e  politikanëve  tanë  se  kanë  vetëm  një  merak  e  një  qëllim :  Të  realizojnë  zgjedhje  të  lira  e  të  ndershme !!  Sepse  të  gjithë  e dinë  se  janë  po  këta  politikanë,  në  këto  17  vjet,  që  kanë  deformuar,  tjetërsuar,  përdhosur  e  shpërfillur  votën  e  popullit,  vullnetin  e  tij.  Kush  i  ka  penguar  të  realizojnë  zgjedhje  të  lira  e  të  ndershme ?  Të  gjithë  betohen !  Betohet  Rama  dhe  Berisha,  betohet  Meta  e  Mediu,  betohet  Pollo  e  Gjinushi,  Ceka  e  Ngjela,  Milo  e  Starova,  gjithë  xhuvelëria !  Kush  pra,  kush  i  bëri  pis  e  i  çnderoi  zgjedhjet ?  Kush  u  përgjigj  e  pagoi  për  to ?  Kush  është  i  pandershmi  e  kusari  që  të  gjithë  po  e  kërkojnë  dhe  s’po  e  gjejnë  dot ?  Aaaaaa,  fajin  na  e  paskërka  pas  sistemi !!  Ai  na  qenkërka  gjynahqari,  hileqari,  kusari,  zuzari,  lapërdhari  !!  Dhe  fap,  na  u  zgjodhën  dy  më  të  ndershmit,  që  ta  denoncojnë,  ta  dënojnë,  ta  korigjojnë,  ta  pastrojnë  ta  përmirësojnë  sistemin :  Kaçi  rozë   dhe  Rusmajli  blu !  Këta  janë  më  të  ndershmit ( sepse  nëse  vuajmë  për  ndershmëri,  duhet,  së  pari,  të  kërkojmë  e  të  ngarkojmë  më  të  ndershmit ) dhe  më  specialistët  e  dy  forcave  kryesore  e  pse  jo,  edhe  të  politikës  shqiptare !  Dhe  për  të  dëshmuar  aftësinë  dhe  ndershmërinë  e  tyre,  ata  filluan  të  hulumtojnë  në  sistemet  që  ka  dynjaja :  Posi,  kemi  “ gjermanin ”,  po  kemi  edhe  “ spanjollin ”,  “ grekun ”  po  e  po,  shiko  se  na  përshtatet  më  mirë  “ çeku”  më  duket  dhe,  patjetër,  për  ta  bërë  tamam,  tamam  shqiptar,  duhen  marrë  pak  nga  të  gjitha !  Edhe  botën  e  bindim  se  po  e  dëgjojmë  dhe  po  e  ndjekim  por  edhe  shqiptarëve  po  u  dëshmojmë  se  jemi  sovranë  dhe  të  ndershëm !Por  batakçinjtë  ja  njohin  hilet  e  dallaveret  njëri  tjetrit.  Kusarët  e  vegjël,  e  dinë  mirë  se  kusarëve  të  mëdhenj  vetëm  për  dredhira  e  prapësira  u  vete  mëndja,  sepse  bashkë  i  kanë  bërë  deri  tani  të  gjitha  bëmat  e  hyneret.  Puna  është  se  kjo  “ ndershmëri ”  e  barazi  midis  kusarësh  nuk  mund  të  vazhdojë  gjatë.  Aq  më  tepër  që  kusarët  e  vegjël  duan  të  bëhen  të  mëdhenj  duke  hyrë  në  sinoret  e  të  mëdhenjve.  Lëre,  lëre  se  ç’vete !  Përfundimi :  Hyn  në  fuqi  ligji  i  xhunglës,  i  fshehur  me  marifet  deri  tani.  Luanët  janë  luanë,  ujqërit,  çakejt,  dhelprat, lepujt  e  lepurushët,  duhet  të  mos  harrojnë  origjinën !  Kështu  pra,  çdo  gjë  do  të  vejë  në  vendin  e  vet.  Vicklat  do  të  fashiten  dhe  të  vegjlit  do  ta  kuptojnë  se  kanë  mbijetuar  e  janë  fryrë  artificialisht,  për  zemërgjërësi  të  të  mëdhenjve.  Përsëri,  vetëm  kështu  mund  të  mbijetojnë.  Këtë  do  ta  kuptojnë  shpejt  kolopuçët  “ grevëthyes ”  dhe  koalicioni  i  “ të  imtave ”  do  të  prishet  përsëri.  Në  xhungël  nuk  mund  të  veprojnë  ligje  të  tjera  veç  atij  të  xhunglës,  pavarësisht  llojeve,  specieve,  grupimeve,  aleancave  e  koalicioneve,  klaneve  e  hordhive,  lidhjeve  e  krushqive.  Kur  peshku  i  madh  ha  të  voglin  as  që  mund  të  bëhet  fjalë  për  raporte  më  dashamirëse  e  bashkëjetesë  midis  gjallesave  që  ndryshojnë  në  gen,  pavarësisht  se  janë  pjesë  autentike  në  trojet  e  tyre  etnike,  në  xhungël.  Prandaj,  kushdo  që,  me  hir  apo  me  pahir,  futet  në  xhungël,  duhet  të  ketë  studiuar  më  parë  biblën  e  saj  dhe  t’i  ketë  bërë  llogaritë  sipas  këtij  kodi,  përndryshe,  zoti  pastë  mëshirë  për  të !  Amin  !            Sherrnaja  hipokrite  për  sistemin            Të  gjithë  sherrxhinjtë  hileqarë  e  të  pandershëm ( Të  gjithë  pa  përjashtim  janë  të  pandershëm  sepse  përndryshe,  ndonjeri  në  komisione,  do  ta  kishte  ngritur  zërin  kur  bëhej  masakra  mbi  votën  e  sovranit ) para  apo  mbas  ekraneve,  evidentojnë  pa  mëdyshje  dhe  pa  hasur  kundërshtime  nga  askush  se,  sistemi  që  respekton  në  mënyrë  absolute  vullnetin  e  sovranit  dhe  që  u  mbyll  derën  gjithë  pisllëqeve  të  vërejtura  deri  tani,  është  SISTEMI  I  PASTËR  PROPORCIONAL.  Por  kjo  thuhet  sa  për  ta  evidentuar,  gjë  që  dëshmon  se  kusarët  tanë  nuk  janë  dhe  aq  budallenj  dhe  nuk  kanë  nevojë  për  të  importuar  sisteme  hibride  tip  “ OMGJ ”.  Kjo,  pra,  pohohet  sa  për  evidencë  ( në  fakt,  për  të  kërcënuar  njëri  tjetrin  me  mbështetjen  ndaj  një  sistemi  të  ndershëm)  sepse  kusarët  i  tmerron  ndershmëria.  Ja  përse  thuhet  dhe    harrohet  në  çast  ajo  që  u  evidentua  duke  harruar  njëkohësisht  se  janë  aty  pikërisht  në  kërkim  të  sistemit  që  garanton  ndershmëri.  Dhe  vazhdon  sherrnaja  me  argumenta  e  stërargumenta  në  kërkim  të  asaj,  që  në  fakt,  nuk  e  do  asnjëri,  ndershmërisë  pra !       Përse  sistemi  i  pastër  proporcional,  pa  prag  garanton  zgjedhje  të  ndershme ?          1.  Sepse  ai  i  jep,  rigorozisht  në  përqindje,  çdo  partie,  aq  vënde  në  parlament,  sa  përqind  të  mbështetjes  elektorale  që  gëzon.  A  është  e  drejtë  kjo ?  Sigurisht  që  po !          2.  Sepse  e  zbut  dhe  e  civilizon  betejën  elektorale.  Duke  qenë  se  nuk  ka  individë  të  angazhuar  drejtëpërdrejtë  për  të  fituar ( siç  ndodh  në  garën  në  mazhoritar )  nuk  ka  as  kriminelë  e  grupe  banditësh  të  organizuar  e  vënë  në  lëvizje  për  të  siguruar  me  dhunë  votën  për  kandidatin  e  tyre.  Natyrisht  realiteti  i  sotëm  zbulon  edhe  moralin  se  si  është  luftuar  për  të  zënë  një  vend  në  parlament  dhe  se  me  se  është  mbushur  parlamenti  ynë.  Merret  me  mend  lehtë  edhe  se  çfarë  mund  të  pritet  nga  një  parlament  e  parlamentar  i  tillë.          3.  Sepse  e  pastron  garën  elektorale  nga  amoraliteti,  nga  premtimet  boshe  individuale  pa  pasë  asgjë  në  xhep,  nga  paratë  e  hedhura  lumë  për  të  blerë  votën  por  edhe  nga  detyrimet  pastaj  për  t’ia  shpërblyer  militantëve,  në  kurriz  të  shtetit  dhe  të  popullit.          4.  Sepse  nuk  arrihet  të  përfaqësohet  në  parlament  elita  intelektuale  e  çdo  force  politike,  ( siç  e  ha  meraku  elitarin  Kaçi,  që  mezi  arrin  të  fitojë  me  palaçollëqe  në  zonën  e  tij  elektorale ) që  në  fakt  ndodhet  në  lidersdhipin  e  saj  por,  atje  zënë  vënd  ata  që  hedhin  më  shumë  para,  dhe  kuptohet  përse  i  hedhin dhe  si  do  t’i  rifitojnë,  ata  që  kanë  më  shumë  lidhje  të  çdo  lloji,  që  kanë  më  shumë  lidhje  me  krimin,  etj.          5.  Sepse  në  republikat  parlamentare  qeverisin  partitë,  me  elitën  e  tyre,  me  programin  e  tyre  me  grupet  e  tyre  parlamentare,  që  duhet  të  karakterizohen  nga  kohezioni  i  mbështetur  në  programin  e  miratuar  bashkarisht.  Deputetët  e  paraqesin  dhe  argumentojnë  qëndrimin  e  tyre  në  grupin  parlamentar.  Aty  shpaloset  dhe  vlen  individualiteti  i  tyre,  pothuaj  njëlloj  me  raportet  që  ka  antari  i  forumit  me  forumin  e  partisë  ku  militon.  Ata  nuk  mund  dhe  nuk  duhet  të  dalin  kundër  qëndrimit  të  grupit,  përndryshe  do  të  duhej  të  kishin  fituar  si  kandidatë  të  pavarur.  Kjo  është  edhe  arsyeja  se  përse  sistemi  proporcional  ka  epërsi  ndaj  atij  mazhoritar  në  të  cilin  në  parlament  nuk  sigurohen  elitat  dhe  ku  deputeti  nuk  e  ndjen  sa  duhet  detyrimin  që  ka  ndaj  Partisë  dhe  programit  të  saj.            Nëse  është  kështu  dhe  këtë,  në  fakt,  e  pranojnë  të  gjithë,  të  gjitha  bishtat  dhe  shartesat  që  kërkohet  t’i  shtohen  dhe  ta  deformojnë  këtë  sistem  të  virgjër,  synojnë,  absolutisht,  ta  xhveshin  atë  nga  kjo  “ ndershmëri  e  tepërt ”,  ta  ndyjnë  në  pjesë  të  ndryshme,  ta  inkriminojnë  e  kompromentojnë  deri  në  tjetërsim,  sejcili  në  interes  e  për  hesap  të  vet.  Sejcila  parti  e  sejcili  negociator,  komisioner  a  manovrator,  hileqar  e  manipulator,  synon  një  kod  zgjedhor  që,  nga  njëra  anë,  t’i  shërbejë  interesave  të  tyre  dhe  nga  ana  tjetër,  t’u  hedhë  hi  syve  të  tjerëve ( përfshirë  edhe  institucioneve  ndërkombëtare).  Institucioneve  ndërkombëtare,  nga  ana  tjetër,  nuk  u  mungon  përvoja  për  të  kuptuar  e  parashikuar  bumerangun  e  politikave  të  tilla  pa  të  ardhme.  E  gjitha  kjo  bëhet,  natyrisht  në  emër  të  moralit,  të  ndershmërisë,  të  stabilitetit  ekonomik  e  politik,  të  shpejtimit  të  proçeseve  integruese  e  lloj  lloj  sajesash  e  pallavrash  të  pështira  e  hipokrite  që  zor  se  i  ha  kush.  Por  kaubojsat  e  politikës  shqiptare,  me  nga  dy  pisqolla  në  brez,  të  përkëdhelur  nga  imazhi  i  vet  kallp,  nuk  e  çajnë  fort  kokën  për  moral.  Atë  e  kanë  kapërdirë  me  kohë  me  mish  e  me  xhin. Kusarët  nuk  heqin  dorë  nga  kusaria.  Ata  mund  ta  lenë  sherrnajën  vetëm  kur  të  mbeten  të  gjithë  mjaftueshmërisht  të  kënaqur  nga  ndarja  e  kurbanit  të  vet,  që  në  këtë  rast  do  të  jetë  Kodi  Zgjedhor,  në  mos  po  vetë  Kushtetuta.  E  ku  pyesin  kaubojsat  për  ligj  e  kushtetutë ?!             Le  t’ja  hapim  petët  lakrorit,           megjithëse  ai  ka  mbetur  pa  petë  fare  dhe  i  kanë  dalë  përsipër  jashtëqitjet  pa  hesap.          U  tha  se  të  gjithë  bishtat  e  shartimet  që  i  janë  bërë  dhe  i  bëhen  sistemit  të  pastër  propocional,  pa  prag ( që  respekton  besnikërisht konceptin  e  pluralizmit  politik ),  motivohen  nga  synimi  që  autorët  kanë,  për  t’  krijuar  vehtes  përfitime  mbi  atë  që  u  takon,  natyrisht  në  kurriz  të  asaj  kategorie  të  vegjlish  të  cilët,  realisht,  mund  të  ecin  me  këmbët  e  veta ( sepse  ka  edhe  të  vegjël  apo  inegzistentë  që  ecin  mbi  galloshet  e  të  mëëdhenjve.  Zhurmën,  më  së  shumti,  e  bëjnë pikërisht  këta ).  Një  funksion  të  tillë  e  luan  edhe  elementi  prag  që  shpesh  përdoret  si  kërcënim  nga  të  mëdhenjtë  dhe  pseudo  të  mëdhenjtë  për  të  vegjlit  e  klonuar.          Sistemi  i  pastër  mazhoritar,  në  një  periudhë  e  nivel  të  caktuar  formatimi  e  konsolidimi  të  faktorit  politik,  synon  ta  kthejë  pluralizmin  politik  në  sistem  dypartiak,  gjë  që  vetëm  për  demokraci  pluraliste  nuk  dëshmon  dhe  nuk  mund  të  bëhet  fjalë  më.  Duke  llogaritur  përfitimet  e  gjithanëshme  që  kanë  partitë  parlamentare,  kuptohet  se  partitë  e  vogla,  apo  partitë  e  reja  nuk  mund  të  bëhen  kurrë  të  mëdha.  Kjo  e  kthen  në  fallcitet  pluralizmin  dhe  konsiderimin  e  tij  si  një  sistem  human  me  hapësira  e  pretendime  politike  për  të  gjithë  faktorët  politikë.  Kjo  është  një  goditje  vdekjeprurëse  ndaj  së  resë.  Në  një  rrethanë  të  tillë,  të  gjithë,  nëse  duan  të  jenë  pjesë  e  politikës,  duhet  të  rreshtohen  pas  të  vjetrës,  pas  të  madhes !            Shartimet  e  tipit  të  ligjit  aktual,  ndonëse  fillimisht,  sa  pa  hyrë  shejtani  në  bark,  realizuan  një  përfaqësim  më  realist  në  parlament,  me  hapësirat  ligjore  që  kishin  për  manovrime  të  pamoralshme  dhe  me  moralin  gjithnjë  në  dekompozim  të  politikanëve  tanë,  fuqizuan  artificialisht  e  gradualisht,  me  mbështetjen  e  të  mëdhenjve,  edhe  parti  inekzistente.  Kjo  e  deformoi  keqas  raportin  e  mbështetjes  elektorale  me  atë  të  përfaqësimit  në  parlament,  duke  deformuar  kështu  vetë  demokracinë.  Nga  ana  tjetër  kjo  prishi  edhe  raportet  midis  aleatëve  pasi  të  mëdhenjtë  e  kuptuan  se  po  i  nxirrnin  sytë  vehtes  duke  tkurrur  partitë  e  tyre  në  favor  të  marrjes  së  pushtetit,  të  cilin  pastaj  do  t’u   duhej  ta  ndanin  me  sajesat  e  veta.  “ Elefantët ”,  sidomos  kur  janë  shqiptarë,  nuk  mund  ta  kthejnë  në  strategji  këtë  vijë  sjelljeje.  Rezultati,  sherrnajë  dhe  orekse  të  të  vegjëlve,  që  tashmë  nuk  janë  dhe  aq  të  vegjël,  të  paktën  në  gjëndjen  civile.          Kaubojsat  politikë  të  tipit  Kaçi,  na  kanë  shpikur  një  hibrid  të  ri  që  u  vjen  sipas  oreksit,  pasi  janë  konsumuar  e  kompromentuar  të  vjetrit :  Sistemin  spanjoll,  baraz  kjo  me  Sistem  Proporcional  Rajonal. ( vini  rejemi  gjithmonë  në  përpjekje  për  të  turbulluar  ujrat,  në  kërkim  të  korrektimeve  e  deformimeve  të  sistemit  të  pastër  për  ta  bërë  atë  sa  më  pak  të  pastër,  sa  më  pak  të  ndershëm  që  të  jetë  e  mundur ! )          Autorëve  të  këtij  sistemi,  para  apo  pas  skenës,  u  duket  se  kështu  do  t’i  heqin  qafe,  me  armë  “ proporcionale ” tashmë,  disa  nga  pseudoaleatët  e  bezdisshëm !  Duke  ruajtur  formalisht  pragun  2.5 %,  për  t’i  hedhur  hi  syve  të  vegjëlve,  në  fakt,  brenda  rajonit,  ky  prag  vete  disa  herë  më  i  lartë  dhe  derisa  nuk  parashikohet  një  kontigjent  vëndesh  në  parlament  nga  proporcionali  i  pastër,  siç  është  në  kodin  aktual,  pragu  aktual  mbetet  formal,  pa  asnjë  vlerë  dhe  që  nuk  prodhon  asnjë  deputet.  Të  mëdhenjtë,  në  rajon,  marrin  kështu  edhe  vëndet  e  të  vegjëlve !  Por  elitarët  intelektualë  të  tipit  Kaçi,  me  sa  duket,  kanë  harruar  se  kaubojsa  matematicienë  ka  edhe  në  partitë  e  vogla.  Ata  do  ja  gjejnë  ilaçin  tip  dushk  marifetit  të  trashë  të  Kaçit,  duke  krijuar  aleanca  në  çdo  rajon  dhe  duke  ndarë  pastaj  rajonet  në  favor  të  njerës  apo  tjetrës  forcë  të  vogël.  Ja  pra  që  elitariteti  i  Kaçit  nuk  e  shmang  dot  dushkun.          Edhe  proporcionali  i  personalizuar,  siç  e  kërkojnë  partitë  e  vogla  parlamentare,  qoftë  edhe  me  raporte  70-70  apo  sidoqofshin  ato,  që  në  thelb  e  kthejnë  sistemin  në  mazhoritaro-proporcional,  si  aktuali,  as  dushkun  e  eliminojnë  dhe  as  ndershmërinë  e  garantojnë  në  betejat  tona  elektorale.          Partitë  e  vogla  e  kërkojnë  këtë  sistem,  sepse  ndjehen  në  defiçencë  numerike  dhe  influence  të  strukturave  të  konsoliduara  partiake  në  bazë,  gjë  që  synojnë  ta  kompensojnë  me  shtabet  e  kandidatëve  të  personalizuar,  që  natyrisht  do  të  fusin  në  lojë  të  gjithë  ato  elementë  kriminalë,  që  gjoja  po  luftohet  të  shmangen  me  “ rropatjet  e  stërmundimshme ”  për  kërkimin  dhe  zbulimin  e  një  sistemi  “ puritan ”  Dhe  këtë  zbulim  e  kanë  marrë  përsipër  kapobandat.            Një  element  i  përfolur  është  edhe  çeshtja  e  listave  të  hapura  apo  të  mbyllura.  Duhet  kuptuar  se  bëhet  fjalë  për  lista  shumëemërore  të  miratuara,  të  pandryshueshme  dhe  të  pavarura  nga  rezultatet  paszgjedhore  në  zonat  zgjedhore,  të  depozituara  në  KQZ  para  zgjedhjeve  ose  për  lista  shumëemërore  paraprake  ku  mund  të  ndryshohet  renditja  pas  zgjedhjeve,  në  funksion  të  rezultatit  në  zonat  zgjedhore.  Problemi,  sidomos  nga  LSI,  shtrohet  sikur  këtu  bëhet  fjalë  për  cënimin  e  demokracisë  në  Parti,  sikur  kjo  rrit  pushtetin  e  kryetarëve,  gjë  që  në  fakt  është  plotësisht  e  shmangëshme  nëse  vendimet  për  këtë  qëllim,  pra  për  hartimin  dhe  miratimin  e  listave  të  mbyllura,  u  delegohen  forumeve  e  jo  kryetarëve.  Në  fakt,  synimi  është,  përsëri,  që  duke  ngjallur  interesin  e  sa  më  shumë  elementëve  për  karierë  politike,  të  vihen  në  lëvizje  po  ato  elementë  kriminalë  që  përmendëm  më  sipër,  përfshirë  edhe  komisionerët  me  prirje  kriminale.  Në  këtë  rast,  një  parti  e  vogël,  mund  të  fitojë  ndonjë  vend  më  shumë  në  parlament,  dhe  për  pasojë  edhe  më  shumë  përfitime  të  pameritura  por,  ndërkaq,  këtu  nuk  kemi  të  bëjmë  me  grupime  politike  të  unifikuara  rreth  një  programi  por  me  banda  në  kërkim  të  përfitimeve  maksimale.          Një  element  me  rëndësi  që  pastron  garën  elektorale  është  ngritja  e  komisioneve  jo  me  komisionerë  partiakë  por  specialistë  të  kualifikuar  si  dhe  përfshirja  në  kodin  zgjedhor  e  neneve  që  ndëshkojnë  në  mënyrë  shembullore  piratët  e  votave  dhe  dhunuesit  e  votës  së  lirë  e  të  vullnetit  të  sovranit,  gjë  që  gjithë  të  ndershmit  elitarë  të  partive  tona,  e  kanë  “ harruar ”  dhe  nuk  e  kanë  parë  me  vend  ta  “ shartojnë ”  në  sistemet  tona  zgjedhore.          Sidoqoftë,  diçka  dihet  me  siguri :  Nëse  kalvari  i  zgjedhjeve  që  kundërmojnë  kaq  shumë  erë  të  keqe  në  Shqipëri,  do  të  vazhdojë  gjatë,  e  pakta  që  do  të  ndodhë,  do  të  jetë  braktisja  e  proçeseve  elektorale  nga  sovrani.  Paskuqani  me  28 % -ëshin  e  pjesëmarrjes  së  tij,  ishte  shembull  domethënes.  Natyrisht,  kjo  nuk  i  prish  asnjë  punë  piratëve  të  politikës  shqiptare,  sepse  ata  i  kanë  dalë  përpara  kësaj  me  rregullimet  ligjore  por,  kuptohet  se  kjo  i  prish  punë  Shqipërisë  dhe  se  këtu  nuk  bëhet  fjalë  as  për  zgjedhje  të  lira,  as  për  zgjedhje  të  ndrshme  dhe  as  për  demokraci.          Askush  nga  ana  tjetër  nuk  ka  të  drejtë  t’i  shohë  këto  rreshta  me  syze  ideologjike,  të  justifikojë  apo  marrë  në  mbrojtje  realitetin  tejet  të  hidhur.  Unë  do  ta  vlerësoja  e  falënderoja  maksimalisht  cilëndo  forcë  apo  faktor  politik,  të  majtë  apo  të  djathtë,  që  do  të  kontribuonte  apo  do  t’i  jepte  fund  këtij  reliteti  të  shëmtuar,  demaskues  e  diskreditues.                                                                                                Kristaq  Mosko  

Shkruaj një koment



Kujdes: Komentet moderohen, prandaj dhe postimi i komentit tuaj mund të vonohet. Mos e dërgoni të njëjtin koment dy herë.