Ernest Koliqi, ministri i arsimit që mbolli farën e arsimit kombëtar,

 

 

Konferenca e Pezës, dhe arsimtarët elbasanas

Ernest Koliqi, ministri i arsimit që mbolli farën e arsimit kombëtar,

Konferenca e Pezës, konferenca e tradhëtisë kombëtare

Prania e Presidentit Shqiptar Bamir Topi në Elbasan me rastin e 100 vjetorit të shkollës së parë shqipe “Naim Frashëri” përkoi edhe me 67 vjetorin e asaj dite të shënuar në historinë tonë kombëtare që ish ministri i asaj kohe në shtator 1941 urdhëroi dërgimin e mbi 400 mësuesve normalistë dhe të shkollës amerikane të Harri Fullc në të gjitha trojet shqiptare për hapjen e shkollave shqipe dhe mësueimin e shkrimit dhe këndimit të gjuhes së bukur shqipe. T’i rikthehesh historisë dhe të rishkruash atë, kjo do të jetë ndoshta sfida e rradhës e një qeverisjeje apo të një shteti, pjesë e së cilës janë edhe Presidenti Bamir Topi, edhe kryetari i qeverisë Sali Berisha, ashtu siç janë edhe kryetari i opozitës Edi Rama dhe Ilir Meta, Fatos nano e të tjerë që më shumë se sa një drejtim vetëm politiko-ekonomik, do të jenë edhe një sfidë e atdhetarizmit të munguar në rrafshin kombëtar. Nëse për rreth gjysmë shekull një populli iu mohua e drejta ta njohë historinë reale të shqiptarëve, është fatale që për mbi 18 vjet me rradhë kjo histori ka vazhduar të mbajë peng të vërtetat e domosdoshme të asaj që është historia e shkruar me penën e burrave të shtetit shqiptar dhe peronaliteteve që në një formë a në një tjetër u etiketuan “armiq” apo “tradhëtarë”. Kështu donte filozofia e diktaturës sllavokomuniste. Starti i kësaj tradhëti të historisë dhe ngjarjeve të kohës nisi pikërisht në atë ditë kur u mbajt Konferenca e Pezës më 16 dshtator 1942. Them kështu sepse të vetmen gjë pozitive që pati kjo konferencë komplotiste, ishte parrulla e shkruar e saj “Bashkim pa dallim feje, krahine, ideje”, sepse jo vetëm që asnjë presje e kësaj parrulle madhore nuk u zbatua, por ata që menduan si idealistë në idealet e kësaj konference, u vranë një e nga një, u eleminuan në forma të ndryshme mafioze, u etiketuan “tradhëtarë”, sepse prapaskenat e kësaj konference i dirigjonin serbët e deleguar dhe të atashuar në PKSH. Nëse sot pranojmë që Partia Komuniste Shqiptare ishte shtojcë e Partisë Komuniste Jugosllave, për vetë ndodhitë dhe realitetet e ndodhura kohë pas kohe dhe që u ndriçuan tërësisht në këto vitet e demokracisë, duhet thënë se çdo lloj konference apo takim, mbledhje apo marrëveshje mori ngjyrën e zezë të tradhëtisë kombëtare me inskenime serbe  tipike të UDB dhe që kishin si objektiv qëllimin e madh strategjik të Titos për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, si republikë e shtatë. Kështu u veprua edhe me Marrëveshjen e Mukjes, kështu u bë edhe në Konferencën e Beratit, kështu ndodhi me të gjithë ata që njiheshin si bij të devotshëm të kombit, edhe pse ishin komunistë, por që nuk e pranonin tutelën jugosllave të Miladin Popoviçit apo Dushan Mugoshës, Velimir Stojniçit apo emisarëve të herëpashershëm të Titos. Vrasjet e dyshimta të Qemal Stafës, të Vojo Kushit, Xhoxhi Martinit, Sadik Stavelecit, Perlat Rexhepit, Jordan Misjes, Branko Kadisë apo vrasjet e Vasil Shantos e Ali demit, por edhe vrasja tipike e Mustafa Gjinishit dhe shumë e shumë peronaliteteve të tjerë. 8 nëntori 1941 ishte fillimi i një skenari, kurse starti i tradhëtisë së madhe nisi në Pezë, pikërisht nën mirëbesimin e pezakëve, Shyqyri Pezës dhe Myslymit, që u keqpërdorën për qëllimet e dyshimta të PKSH + PKJ. Konferenca e Pezës kishte si postilat “bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje”, ato mbetën vetëm gjashtë fjalë që nuk u bënë kurrë realitet, janë gjashtë fjalë që u kthyen në të kundërtën e tyre dhe bënë atë që do të mbetet si postulati më i nëpërkëmbur, i cili dhunoi shqiptarët, i pushtoi ata më 29 nëntor dhe e ktheu këtë vënd në një ferr ku humbi dinjitet dhe e katandisi këtë vend dh këtë popull në geton e Europës, ku shqiptarët u kthyen në kavie eksperimentale të një çmendurie me emrin Enver Hoxha. Çfarë na solli realisht Konferenca e Pezës ? Është kjo pyetja që mund të bëjë çdo shqiptar. Realisht ajo solli një instalim të një filozofie tradhëtare për interesat e një populli që aspiroi për “liri dhe demokraci” dhe jo për luftë klasash e diktaturë. Kujtimi që i bëhet një konference me ideale të tradhëtuara, është njëlloj si të rikthehesh tek mendësia dhe filozofia e një kohe që mbolli zi dhe shkatërroi vlerat e një populli të tërë dhe që e provoi katërcipërisht koha se ku përfundoi ky vend hde ky popull nën regjimin e stalinistëve enverisë që e visën tradhëtinë  etyre pikërisht në Pezë, në atë 16 shtator fatëzi e të kobshëm për jetën e një vendi e një populli që e do lirinë dhe e dëshiron demokracinë. Për këtë themi që Konferenca e Pezës është starti i tradhëtisë së madhe kombëtare që e dëshirojnë aq shumë socialistët shqiptarë. Kjo të lë në mendje edhe arsyen se përse çirren aq shumë ediramat shqiptarë dhe i rikthehen Pezës për të rregulluar shijet e sinkronizuar filozofinë e tyre me atë enveriste.

Por me një kontrast të madh historik dhe kombëtar, në këtë fillim viti të ri shkollor pas rreth 67 vjetësh do të ishte e udhës të kujtohej një personalitet kombëtar si Ernest Koliqi, ideatori dhe frymëzuesi, po aq sa edhe zbatuesi i një filozofie të madhe për hapjen dhe konsolidimin e shkollave shqipe në gjithë trojet shqiptare. Ka qenë shtatori i vitit 1941 kur me një vendim të asaj kohe të Ministrisë së Arsimit, kur ministër ishte Ernest Koliqi, mbi 400 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, shkuan në Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frutet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në hapjen e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare. Frutet e atij akti janë sot Kosova e lirë, janë dëshira e mijëra e mijëra shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërisë për shqiptarizmin e tyre, si një krenari kombëtare. Ndoshta i vetmi që ka mbetur gjallë sot, Jonuz Balla, mësuesi 95 vjeçar që jeton në Elbasan si dëshmitar okular i asaj armate arsimtarësh heronj kombëtar, pas Mehmet Gjevorit po nga Elbasani, që ndrroi jetë para një viti e gjysmë në Prishtinë, ata flasin për atë monument që i duhet ngritur Ernest Koliqit, si kryemësuesi i shqiptarizmit të mbjellë në trojet shqiptare.

Pyetja tjetër që lind është se përse nuk kujtohet një akt i tillë që ka ndodhur po në shtator, një vit para Konferencës së Peqzës që bëri të kundërtën e asj që bënë 400 normalistët shqiptarë.

Vendimet historike merren nga burra historikë, kudo ku ato kanë ekzistuar në çdo vend të botës. Kjo vlen veçanërisht edhe për personalitetin e ish ministrit të arsimit Ernest Koliqi në kohën kur ai u bë dishepull i shqiptarizmës.

Ishin vite lufte, vërtet, por gjithsesi ata që drejtonin jetën publike të këtij vëndi ditën të shfrytëzojnë gjithshka në shërbim të kombit. Vendimi i marrë në atë shtator, si sot e 67 vjet më parë, nga ish ministri i arsimit i asaj kohe, Ernest Koliqi, është gdhendur në kujtesën e brezave si një akt sublim i një shqiptari të madh. Vërtet ishte luftë, por shkollë gjithsesi bëhej ashtu si dhe sot. Ndryshimi qëndron në atë se shkollat shqipe nuk ishin të konfirmuara në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, pikërisht atje ku gëlonte shqiptarizmi, se institucionet shkollore shqiptare ishin të ndaluara nga pushtuesit shekullorë serbo-grekë. Rreth 400 normalistë morën me vete bekimin dhe uratën e një ministri që nënshkroi vendimin prej shqiptari që djemtë dhe vajzat e arsimuara në Normalen e Elbasanit e më tej të hapnin shkolla ku të mësohej shqipja dhe të shkruhej gjuha e ëmbël naimjane.

Vërtet ishte luftë, por ministri i arsimit i asaj kohe i shpalli luftë asimilimit të shqipes në trojet tona shumë shekullore. 400 normalistët nga e gjithë Shqipëria, pjesa më e madhe nga Elbasani, u kthyen në shqiponja të gjuhës dhe të këndimit, duke hapur shkolla në Prizren dhe në Tetovë, në Podgoricë dhe në Prishtinë, në Gostivar dhe në Gjakovë, në Ulqin dhe në Filat, vetëm e vetëm të fitohej beteja e shqiptarizmit.

Ernest Koliqi ishte ministri i arsimit i kohës që sfidoi kohën dhe bëri atë që të meritonte nderimin e brezave të të tërë nxënësve që dolën nga bankat e shkollave shqiptare, atje, ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë. Për 66 vjet shqipja triumfoi si ajo manushaqja bukuroshe e Naimit që çeli mes ferrash për të kundërmuar si lahuta e malsisë që mbushi vendin me burrni. Askush tjetër nuk kishte bërë një akt të tillë, akt i cili rradhitet krah Shpalljes së Pavarasisë, rradhitet krah Mbretërisë Shqiptare, ashtu siç do të doja ta renditja krah lëvizjeve të mëdha që sjellin po aq ndryshime të mëdha në jetën e një vendi. Çdo normalist kishte me vete në çantën e tij një vendim ministror të një njeriu të madh, vendim i cili u jepte krenari, dinjitet dhe i bënte mësuesit e trojeve shqiptare ambasadorë të shkollës shqipe. Nuk ishte e pakët, aq më tepër e lehtë që në mes të pushtuesve greko-serbë të hapje shkolla shqipe.

Ernest Koliqi, ashtu si dhe Mehmet Gjevori 95 vjeçar dhe Jonuz Balla sot 95 vjeçar u persekutuan nga regjimi sllavo-komunist, por ata, si dhe 400 normalistët e tjerë, një pjesë e të cilëve formuan edhe familje në tokat shqiptare, e kishin hedhur farën e rilindasve dhe ajo kishte zënë rrënjë. Nuk mund të harrosh dhjetra dhe dhjetra arsimtarë që në ato vite lufte me një flamur kuq e zi në gji, mes peripecive të kohës shkuan atje, ku e kërkonte momenti historik, duke i qënë mirënjohës ministrit të tyre Ernest Koliqi.

Dhe vitet shkuan e shkuan plot 66 dhe ai akt historik i këtij burri ka mbetur në qerthullin e tranzicioneve i panderuar për vlerat që mbart, aq më tepër që bëjmë fjalë për një vendim të shkruar shqip nga një shqiptar, për një vendim të nënshkruar nga nje ministër shqiptar për një Shqipëri të Vërtet që duhej dhe duhet të flasë shqip. Nuk di se ç’duhet bërë për t’i dhënë vendin e merituar figurës së ministrit të arsimit Ernest Koliqi, që do të ishte edhe një rehabilitim i persekutimit që ju bë atij nga falangat slllavo komuniste. Kur mendon se persekutori tipik  stalinist Enver Hoxha, njeriu që nuk mbaroi njëherë një shkollë të lartë, e mohoi veprën e Ernest Koliqit dhe e shpalli atë heretike, kjo të sjell në kujtesë kryqëzimin e Jezu Krishtit dhe mohimin e shenjtërisë së veprave të madha, aq më tepër që si e tillë ishte edhe shqiptarizmi. Kur mendon dhe shikon se si pas 65 vjetësh kujtohet Konferenca e Pezës, konferencë e cila vendimet i mori të mëdha, por realizimin e pati antishqiptar, këtu vihen ballë për ballë mes tyre Ernest Koliqi dhe Enver Hoxha, njëri ministër arsimi i Shqipërisë së Vërtetë, tjetri diktator i Shqipërisë së cunguar, njëri dishepull i shqiptarizmit, tjetri udhëheqës i anti shqiptarizmit

Është mëkat dhe gjynah i madh të bësh krahasim mes Ernest Koliqit dhe Enver Hoxhës, se është një lloj sikur të vlerësosh Judën para Jezusit apo Profetit Muhamed. Janë dy epoka që vërtet ndryshuan, njëra solli bardhësinë e arsimimit të bijve të kombit kudo ne trojet shqiptare, ndërsa tjetra solli robërimin e bijve të shqipes. Krahasimin e bëj vetëm si një kujtesë për këdo dhe kushdo qoftq ai sot, ministër arsimi apo kryeministër, politikan apo president se, rikthimi i kujtesës historike për Ernest Koliqin është rikthim në vlerat e vërteta. Ndërsa rikthimi i kujtesës diabolike për Enver Hoxhën është rikthim në diktaturë, duke nëpërkëmbur dëshirën e një populli vërtet për liri dhe demokraci dhe jo për drapër dhë çekan. Enevr Hoxha e mohoi , e shpërfilli, e denigroi Ernest Koliqin, ndërsa vepra e ministrit të arsimit Ernest Koliqi u lartësua vetiu se e tillë ishte ajo. Kurse një popull i tërë e errësoi , e denigroi  e poshtetëroi dhe e urren emrin Enver Hoxha, se i tillë ishte ai. Nuk mund të kete më rikthim, por do të ketë vlerësim për aktet e mëdha që e përbëjnë kombin siç është gjuha, arsimi, të mbrujtura me shqiptarizëm.

Hyqmet ZANE

 

Nje Koment

  1. lule thotë:

    je nje shkrimtar shume i mire dhe krijimet qe ke krijuar jane shume te bukra

Shkruaj një koment



Kujdes: Komentet moderohen, prandaj dhe postimi i komentit tuaj mund të vonohet. Mos e dërgoni të njëjtin koment dy herë.